نرفع درجات من نشاء وفوق كل ذي علم عليم
Falënderimi qoftë për Allahun e Lartësuar, që na ka mbledhur në një mexhlis kaq të bukur, për të cilin edhe engjëjt kanë zili.
إذا مررتم برياض الجنة فارتعوا «Kur të kaloni pranë kopshteve të Xhenetit, shfrytëzojini ato patjetër», duke e thënë këtë, na fton në Xhenet thirrësi më i madh dhe shokët e tij; mbi ta qofshin salavatet dhe selamet.
Vëllezër të nderuar në fe, hoxhallarë të respektuar dhe nxënës të çmuar, që keni ngarkuar mbi supe barrën e rëndë të amanetit të shenjtë, si milingona që mban bukën më të madhe se vetja.
Medreseja, në një kohë kur diplomat me origjinë perëndimore vihen mbi kokë, është një tunel kohe që arrin deri te Babus-Selami, strehë e trimave që notojnë kundër rrymës…
Ajo u përket trashëgimtarëve bashkëkohorë të atij pasioni të ibn Shihab ez-Zuhrive, që, kur ishin me librat e tyre mbi rahle, harronin gjithçka që i përkiste kësaj bote…
Muret e medresesë janë kështjellat e patundura të Islamit, që nuk mund ta shprehin me fjalë kënaqësinë që ndiejnë duke dëgjuar çdo çast «Nasara-jensuru, kalallahu ve kala Resulullah», ndryshe nga muret e fakulteteve, që mbajnë në gjirin e tyre mundimin e të parit të pamjeve të pafesë çdo ditë.
Medreseja, me varrin pranë saj dhe rrapin shekullor para saj, është porta e bashkimit që takon të përkohshmen me të përjetshmen, këtë botë me botën tjetër, të shkuarën me të ardhmen.
Ajo është njëkohësisht pronare dhe trashëgimtare e qytetërimit që Sinani e ndërtoi me mermer, Junusi me poezi dhe Mevlana me dashuri.
Librat mbi rahle janë të një kohe të lashtë. Ndryshe nga veprat e atyre që i shkruan pa abdest, këto janë vepra të imamëve si Buhariu, i cili, gjatë përpilimit të librit, për shkak të sëmundjes, kishte marrë abdest shtatëmbëdhjetë herë në një natë për të mos prekur letrën pa abdest. Në bojën dhe në faqet e tyre ka sinqeritet. Këta që shihni me çallma janë pasardhësit besnikë të dijetarëve rabbanijë që thoshin: «Kokat jepen, por çallmat kurrë».
Me pamjen që paraqesin, ata të kujtojnë engjëjt e dërguar te luanët me çallma të Bedrit, që u përforcuan me tre mijë e pesë mijë engjëj. Meqenëse janë gjithmonë gati të vdesin për çështjen e tyre, mbajnë çdo çast mbi kokë qefinin e bardhë. Fëmijët e vegjël, që, ndërsa bashkëmoshatarët luajnë, ia vënë në kujtesë zemrës Mushafin, të cilin e kanë të vështirë ta mbajnë sa gjatësia e tyre, janë mbetje të Mus’ab ibn Umejrëve të periudhës së Mekës. Sipas fjalës së Fudajl ibn Ijadit: «Ata janë bartësit e Kuranit dhe flamurtarët e Islamit. Janë aq të nderuar sa nuk preken pa abdest dhe aq të respektuar sa nuk flitet pa leje.»
Ata janë burrat e ringjalljes dhe individët e shpresës së ymetit, për të cilët Mësuesi ynë Mahmud Efendi (Allahu e shenjtëroftë sekretin e tij) dha myzhde duke thënë: «Molla Mahmud, nëse dëgjoni këshillë, nga këto medrese do të dalin njerëz si sahabët e nderuar.»
Ata janë Isajtë e së ardhmes, që nënat si Merjemja ia kanë përkushtuar Allahut. Janë qenie të papërsëritshme, për të cilët Allahu betohet në Kuran me fjalën «ata që e lexojnë përkujtimin». Sepse ata lexojnë e mësojnë jo për të jetuar vetë, por për ta mbajtur gjallë Islamin; janë shembuj njerëzish që marrin dritë dhe e shpërndajnë dritën.
Në gjirin e tyre ka një besnikëri të rrallë ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Megjithatë, në një kohë kur gjithçka materiale vihet mbi kokë, dënimi me vetmi është bërë cilësia e tyre më e dukshme.
Korrigjimi dhe ringjallja e rindërtimi i konceptit të Islamit, të cilin armiqtë e brendshëm e të jashtëm e përshkruajnë gabimisht në ditët tona, është i mundur vetëm përmes hoxhallarëve, trashëgimtarë të Profetit, që kanë marrë edukatë medreseje, kanë përvetësuar mendimet e lashta dhe i kanë përshtatur me mënyrë të drejtë me kohën. Prandaj, nëse vendi ku zbatohet plotësisht feja jonë dhe ku vendosen konceptet e saj themelore ishte Shkolla e Suffës në kohën e Profetit tonë (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), sot ai vend janë medresetë. Mësuesi ynë Mahmud Efendi (Allahu e shenjtëroftë sekretin e tij) e ka lidhur ngritjen e Islamit dhe të ymetit me medresenë; na ka dhënë myzhde se feja do të përhapet për sa kohë t’i mbrojmë medresetë dhe ka thënë: «Sikur në çdo lagje të kishte nga një medrese për vajza dhe një për djem, me lejen e Allahut Islami do të sundonte.» Fatihët, Javuzët, Sinanët janë pasqyra e medreseve. Ulemaja, hakimët dhe emirët e sotëm janë pasqyra e shkollave të sotme.
Vëllezër të nderuar në fe, që jeni këtu me shpresën për të gjetur në këtë mexhlis diellin e humbur! Me gjithë qenien tonë pohojmë se e vërteta, edhe pse fshihet, nuk vdes kurrë e nuk zhduket. Ekspeditat e dijes që do të ndërmarrin të gjithë pushtuesit e dashurisë, kandidatë për ta rizbuluar të vërtetën e humbur prej shekujsh, kalojnë nga itinerari i medresesë, ashtu si te ibn Batuta, ibn Halduni dhe Ibrahim Hakkiu.
«Vlerën e mjeshtërisë e kupton njohësi,
Urtësinë e vargut tim e kupton Llokmani»,
duke thënë këtë, ju lë të gjithëve në amanet të Allahut. Ua puth me respekt duart hoxhallarëve tanë të çmuar, nënave e etërve tanë, që na përqafuan dhe na edukuan bashkë me gjembat tonë, dhe ju përshëndes me nderim.
Mahmud Eren











